Shërbimi Meteorologjik Ushtarak

Meteorologjia është shkenca që nëpërmjet studimit të faktorëve që rregullojnë dinamikën e atmosferës dhe të hidrosferës, kërkon të parashikojë evoluimin e motit e të klimës mbi një shkallë rajonale e globale.

Zhvillimi i ekonomisë, i jetës, dhe i njohurive të shoqërisë në tërësi ka influencuar gjithmonë në përparimin e shkencës së parashikimit të motit, sepse, siç dihet, janë të pakta ato veprimtari të njeriut që nuk lidhen me reshjet, temperaturat, erërat etj. Por, një zhvillim të madh shkenca e meteorologjisë e pati me fillimin e fluturimeve ajrore. Ekziston një lidhje tepër e ngushtë ndërmjet fluturimeve ajrore dhe shkencës së meteorologjisë, pasi kjo e fundit garanton kondita normale të fluturimeve kombëtare e ndërkombëtare.

Edhe në vendin tonë zhvillimi i shkencës së meteorologjisë ka historikun e saj. Vlerat e para të elementeve meteorologjikë janë matur, në vitin 1887, në qytetin e Shkodrës. Më pas kanë filluar të maten dhe në qytetet Durrës, Tiranë, Korçë e Vlorë. Por, këto vendmatje në të cilat punonin persona të huaj, priftërinj jezuit, nuk ishin dot në gjendje të formonin rrjetin e Shërbimit Meteorologjik. Deri para çlirimit të vendit kishte vetëm një zyrë hidrografie pranë Ministrisë së Punëve Botore dhe një zyrë meteorologjike pranë Ministrisë së Bujqësisë.

Një rrjet meteorologjik kombëtar, që do të përfshinte tërësinë e shërbimeve meteorologjike në të gjithë vendin, u arrit të krijohej në vitin 1949 nga Instituti i Shkencës. Për këtë qëllim, ishin montuar me kohë nëntë vendmatje të pajisura me aparatura normale të kohës dhe që ndodheshin në qytetet Shkodër, Kukës, Peshkopi, Durrës, Tiranë, Kuçovë, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër. Siç shihet vendmatjet ishin  të shpërndara në të gjithë vendin, në vise e largësi të ndryshme, në kushte të ndryshme klimatike dhe në to punohej 24 orë në ditë.

Elementet meteorologjike të vrojtuara në çdo stacion gjatë ditës ishin: diellëzimi, shikimi horizontal, vranësirat, drejtimi dhe shpejtësia e erës, presioni atmosferik, temperatura e ajrit dhe e tokës, lagështira, avullimi si dhe reshjet. Vrojtimi i vlerave të tyre bëhej i pjesshëm në çdo orë dhe i plotë në çdo tre orë. Gjithashtu, çdo ditë vetëm në Stacionin Qendror Tiranë punoheshin me dorë dhe analizoheshin katër harta sinoptike tokësore të cilat shërbenin për të mbuluar me parashikim moti të gjithë territorin e vendit. Transmetimi dhe marrja e të dhënave meteorologjike si brenda ashtu edhe jashtë vendit bëhej çdo tre orë në Stacionin Qendror me sistemin mors nëpërmjet valëve radio. 

Bashkëpunimi më botën e jashtme realizohej nëpërmjet Qendrës Meteorologjike në Sofje të Bullgarisë dhe shërbente për të siguruar një fluturim normal mbi hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe për të kontribuar në rrjetin e vrojtimeve ndërkombëtare.

Për herë të parë, pra në 1949, në këto vendmatje drejtimi dhe personeli ishin plotësisht shqiptar. Kështu në drejtim të Shërbimit ishte sinoptikani Pal Nikolli, për sektorin civil punonin sinoptikanët Petrit Leka, Nuri Bajko, Nazmi Daja dhe Seit Berisha, ndërsa sektori ushtarak përfaqësohej nga sinoptikani Hamit Kotoni. Këta sinoptikanë, që kishin studiuar në Jugosllavi, me profesionalizëm e përkushtim, kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e Shërbimit Meteorologjik Kombëtar.

Po në vitin 1949 u krijua Drejtoria e Shërbimit Meteorologjik në vartësi të Institutit të Shkencës.

Ndërkohë personeli i rrjetit të shërbimit ka ardhur në rritje. Duhet përmendur puna e palodhur e vrojtueseve Nimete Zaka, Milla Përbilla, Albert Mërgjoni, Hamdi Shijaku, Zyber Dana etj, si dhe e teknikeve Marie Kristiqi, Myzejen Sokoli, Vitore Dushi, Fatime Mema etj.

Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.411 të datës 2.11.1955, “Mbi riorganizimin e Shërbimit Meteorologjik të Shqipërisë”, u vendos që Shërbimi Qendror i Meteorologjisë në Tiranë e në qarqe të hiqet nga administrimi i Institutit të Shkencave dhe të kalojë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe shef i tij emërohet sinoptikani ushtarak Hamit Kotoni. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Nr.1149, datë 26 dhjetor 1955, shërbimi meteorologjik kaloi në vartësi të Komandës së Aviacionit (MKA). Filloi kështu dhe historia e bashkëpunimit të ngushtë të Komandës së Aviacionit me Shërbimin Meteorologjik Kombëtar. Ky bashkëpunim ndikoi në modernizimin dhe shtimin e rrjetit ekzistues.

Në këtë periudhë me punën e tyre kanë lënë gjurmë edhe sinoptikanët Engjëll Korça, Servet Minarolli, Minush Karalliu, etj, si dhe tekniket Rakibete Çuri, Vangjeli Korça, Myzejen Shehri, etj.

Më 7 shtator 1956 me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.377, pranë Shërbimit Meteorologjik është ngritur dhe Sektori i Aerologjisë. Krijimi i këtij sektori do të shërbente kryesisht për përcaktimin e lartësisë së reve, si dhe për përcaktimin e drejtimit e të shpejtësisë së erës vetëm për qëllime ushtarake. Sipas këtij vendimi Stacioni Qendror (Sektori i Aerologjisë) kishte për detyrë që të paktën dy herë në ditë të bënte sondimin e atmosferës duke ngritur aerosonda ose pilot-balona. Të dhënat që merreshin, shërbenin për të përgatitur buletinin meteorologjik të AKA.

Në vitin 1957 të nëntë stacionet e rrjetit të Shërbimit Meteorologjik të Aviacionit regjistrohen në Organizatën Botërore të Meteorologjisë (WMO) me gjerësi e gjatësi gjeografike si dhe me lartësi mbi nivelin e detit.

Kjo organizatë varej nga OKB dhe shteti ynë në bazë të konventave të vendosura prej saj, kishte detyrim kryerjen në rregull të vrojtimeve meteorologjike si dhe përpilimin e telegrameve meteorologjike në stacionet meteorologjike të rrjetit, grumbullimin në Stacionin Qendror të këtyre telegrameve si dhe dërgimin e tyre nëpërmjet Bullgarisë në Qendrën Europiane të Meteorologjisë Këto telegrame, që duhej të dërgoheshin çdo tre orë do të shërbenin për përpunimin e hartave sinoptike të parashikimit 24-orësh të konditave të motit. Gjithashtu, Shërbimi  Meteorologjik i Aviacionit nëpërmjet valëve radio merrte informacion meteorologjik nga Qendra Evropiane e Meteorologjisë.

Nën drejtimin e Komandës së Forcave Ajrore, rrjeti i Shërbimit Meteorologjik është rritur vazhdimisht. Kështu, me krijimin e aeroporteve në vitin 1960 është krijuar Stacioni Sinoptik i Rinasit, me detyrë sigurimin meteorologjik të fluturimit të aviacionit ushtarak dhe atij civil në linjat ndërkombëtare. Ndërsa në vitin 1967, u krijua Stacioni Sinoptik i Farkës, me detyrë sigurimin meteorologjik të fluturimit të helikopterëve ushtarakë të Regjimentit të Helikopterëve Farkë, për t’u ndjekur më pas në vitin 1974 me krijimin e Stacionit Sinoptik të Gjadrit, me detyrë sigurimin e fluturimeve ajrore të Regjimentit të Aviacionit, Gjadër. Kështu, rrjeti i Shërbimit Meteorologjik Shqiptar nën drejtimin e Komandës së Aviacionit u kompletua dhe funksionoi në mënyrë aktive në përputhje me kërkesat e kohës.

Për periudhën 1975 deri në 1990 në krye të Shërbimit Meteorologjik të Aviacionit emërohet ushtaraku Partizan Petroshati, i cili kishte studiuar për inxhinieri-meteorologjike në Kinë.

Ndërsa për periudhën 1990 deri 1992 në krye të Shërbimit Meteorologjik emërohet ushtaraku Minush Karalliu.

Por cila ishte tashmë përbërja e rrjetit të Shërbimit Meteorologjik Shqiptar dhe si u përgjigjej ai kërkesave të kohës?

Rrjeti i këtij shërbimi përbëhej nga dymbëdhjetë stacione, të cilat ndaheshin në stacione pa sinoptikanë, ku bëheshin vetëm vrojtime dhe në stacione me sinoptikanë, ku bëheshin vrojtime dhe parashikime të motit.

Stacionet meteorologjike ku bëheshin vetëm vrojtime, që ishin stacionet Shkodër, Kukës, Peshkopi, Durrës dhe Korçë e kishin në përbërje e tyre: kopshtin meteorologjik me dimensione 26 me 26 metra, në të cilin ndodhej kafazi meteorologjik, termometrat që matnin temperaturën e tokës, anemometri që tregon shpejtësinë dhe drejtimin e erës, si dhe pluviometri që mat sasinë e shiut. Në kafazin meteorologjik ndodheshin: psikrometri i përbërë nga termometri i ajrit të thatë dhe termometri i ajrit të lagët, termometrat minimalë dhe maksimalë, higrometri që mat lagështirën specifike, si dhe termografi e higrografi, që tregojnë ecurinë ditore dhe javore të temperaturës dhe të lagështirës.

Zyra e vrojtimeve meteorologjike në të cilën ndodheshin barometri me zhivë dhe ai aneroid, që shërbejnë për të matur presionin atmosferik, barografi që tregon ecurinë ditore dhe javore të presionit atmosferik, tabelat psikrometrike, që shërbenin për llogaritjen e temperaturës së pikës së vesës dhe ditarët në të cilat shërbenin për regjistrimin e matjeve të elementeve meteorologjikë e për përpilimin e telegrameve meteorologjike.

Ndërsa stacionet meteorologjike ku bëheshin vrojtime dhe parashikime ishin: Stacioni Qendror i Tiranës, i Rinasit, i Farkës, i Gjadrit, i Kuçovës dhe i Vlorës. Këto stacione kishin në përbërjen e tyre përveç kopshtit meteorologjik dhe zyrës së vrojtimit edhe zyrat e teknikës e të parashikimit të motit.

Në zyrën e teknikë çdo tre orë merreshin me radiomarrëse, nëpërmjet Bullgarisë të dhëna meteorologjike nga Qendra Europiane e Meteorologjisë. Këto të dhëna hidheshin me dorë nga teknikët në hartat sinoptike të parashikimit të motit, të cilat ishin tokësore dhe të lartësisë 850mb, 700mb, 500mb, 300mb dhe 200mb. Më pas këto harta kalonin në zyrën e parashikimit, ku pasi analizoheshin me dorë nga sinoptikanët dmth pasi studiohej atmosfera në mënyrë tredimensionale arrihej në konkluzionin: Si është dhe si do të jenë konditat e motit për 24-orëshin e ardhshëm në vendin tonë dhe në kontinentin evropian.

Në Stacionin Qendror të Tiranës bëhej grumbullimi i të gjitha të dhënave meteorologjike që vinin nga rrethet, si dhe përgatitej buletini meteorologjik, që i jepej fillimisht V.K.Q, M.M, e më pas të gjitha dikastereve shtetërore, si dhe Radiotelevizionit Shqiptar. Vlen të përmendet përfaqësimi me aq profesionalizëm e dinjitet që sinoptikani Petrit Leka i ka bërë me vite Shërbimit Meteorologjik në Televizionin Shqiptar deri në vitin 1990.

Në Stacionin Qendror të Tiranës ndodhej dhe arkiva, në të cilën janë arkivuar që nga krijimi i Shërbimit Meteorologjik të gjitha buletinet meteorologjike, hartat sinoptike si dhe punime të ndryshme shkencore.

Shërbimi Meteorologjik i Aviacionit ka patur lidhje të ngushta me Institutin Hidrometeorologjik. Falë këtij bashkëpunimi u realizuan shumë punime shkencore e serioze në fushën e meteorologjisë. Shërbimi Meteorologjik i Aviacionit ishte ai që përgatiste rregullisht tabelat me vlerat e llogaritura të elementeve meteorologjikë, të cilat, së bashku me studime të tjera të këtij lloji, dërgoheshin në Institutin Hidrometeorologjik, ku përpunoheshin e më pas ribotoheshin, duke marrë kështu formën e studimeve shkencore. Si produkt i kësaj pune kolektive shkencore që nga viti 1956, të dhënat e Qendrës Meteorologjike të Aviacionit kanë ndihmuar në botimin e Buletinit Vjetor të Meteorologjisë. Në këtë botim nga ana e Shërbimit Meteorologjik përfshiheshin të dhënat vjetore sipas muajve, të vlerave të elementëve meteorologjikë të matura në vendmatjet meteorologjike, analiza e situatave të vështira sinoptike, etj. Gjithashtu, në vitin 1978 do të botohej libri “Klima e Shqipërisë” dhe “Atlasi Klimatik i Shqipërisë”, një botim i pajisur me 120 harta, diagrama e tabela, në të cilat pasqyrohej shpërndarja e parametrave kryesorë të klimës shqiptare si: temperatura e ajrit, reshjet atmosferike, lagështia e ajrit, vranënsia, diellëzimi, trysnia atmosferike, era dhe diagrama e temperaturës së tokës. Bashkëpunimi me Institutin Hidrometeorologjik ka vazhduar deri në vitin 1996.

Duke pasur parasysh faktin që shtimi i vendmatjeve të elementeve meteorologjike ndihmon në parashikimin më me saktësi të konditave të motit, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Nr.23 datë 12 Shkurt 1986, pranë reparteve ushtarake, u ngritën postat meteorologjike. Këto posta i jepnin Stacionit Qendror të Sinoptikës të dhënat përkatëse për temperaturën e ajrit, reshjet e shiut dhe të dëborës. 

Ndryshimi i sistemit politiko-shoqëror pas vitit 1991 ndikoi në funksionimin dhe strukturën e rrjetit të shërbimit meteorologjik. Në këtë periudhë patëm reduktim të informacionit meteorologjik të ardhur nga rrethet në Stacionin Qendror për arsye të ndryshme si p.sh.: shkrirja e postave meteorologjike pranë reparteve ushtarake, shkatërrimi i linjave telefonike në disa rrethe, mungesë të fondeve financiare si për mirëmbajtjen e stacioneve, ashtu dhe për pagesë personeli. Kjo e fundit çoi në pakësimin e personelit në të gjithë rrjetin e për pasojë dhe heqjen e turnit të tretë në të gjitha stacionet e rrjetit. Në vitin 1996 me akt-marrëveshje ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Transportit shkëputet nga rrjeti i Shërbimit Meteorologjik i Forcave Ajrore stacioni i Rinasit dhe kalon në vartësinë e Ministrisë së Transportit.

Trazirat e vitit 1997 krijuan dëmtime serioze në rrjetin e Shërbimit Meteorologjik me përjashtim të Stacionit Qendror. Në këtë stacion u ruajt çdo gjë dhe ajo që është më e rëndësishme, u ruajt arkiva pra, puna shumëvjeçare e bërë me aq profesionalizëm e përkushtim nga punonjësit e këtij shërbimi.

Për periudhën nga 1993 deri në 1998 në drejtimin e Shërbimit Meteorologjik ishte major Sherif Ymeri.

Në kuadrin e modernizimit  të Forcave të Armatosura në tërësi, më 27 gusht 1997, është nënshkruar, në Romë, marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes dhe Ministrisë Italiane të Mbrojtjes. Rezultat i kësaj marrëveshje ishte fillimi i zbatimit të projektit 403 ndërmjet Komandës së Forcave Ajrore dhe Delegacioni Italian i Ekspertëve (DIE) në Tiranë, më qëllim “Organizimin dhe modernizimin e Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore në përputhje me kërkesat e WMO”.

Ky qëllim do të arrihej në dy linja paralele të cilat ishin: rritja e nivelit profesional të personelit të shërbimit dhe modernizimi i aparaturës e i metodave të punës në rrjetin e shërbimit.

Rritja e nivelit profesional të personelit  të shërbimit do të bëhej nëpërmjet kurseve të kualifikimit në Shqipëri dhe në Itali. Këto kurse, që kanë filluar që në vitin 1997 e që vazhdojnë edhe sot, janë të niveleve të ndryshme si “Osservatore meteo”, “Previsione junior” dhe “Meteorologia operacionale”. 

Modernizimi i aparaturës do të bëhej nëpërmjet pajisjes me aparatura moderne të kohës e rrjetit ekzistues dhe kompjuterizimi i përpilimit të telegrameve meteorologjike e i shkëmbimit të informacionit  meteorologjik si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Për këtë qëllim, nga viti 2000 e deri sot u kthyen në stacione moderne Stacioni Qendror Meteorologjik i Tiranës, si dhe Stacionet Meteorologjike Farkë, Gjadër, Kuçovë, Gjirokastër e Kukës. Për herë të parë në këto stacione, për parashikimin e motit do të përdoreshin pamjet satelitore “Meteosat 7” (VIS, IR dhe VW) si dhe modelet matematiko-numerike që janë shprehja e ligjeve dinamike e termodinamike të atmosferës me gjuhën e ekuacioneve matematike.

Për periudhën nga 1998 deri në 2001, Shërbimi Meteorologjik drejtohej nga kolonel Mexhit Taku. Ndërsa nga 2001 e në vazhdim Shërbimi Meteorologjik i Aviacionit drejtohet nga nënkolonel Bardhyl Imeraj.

Në muajin mars 2003 transmetimi dhe marrja e informacionit meteorologjik filloi të bëhej nëpërmjet Qendrës Meteorologjike Italiane nëpërmjet programit “ Prometeo”. Po në këtë vit stacionet Gjirokastër e Vlorë kthehen në stacione automatike të tipit MAWS 301, ndërsa në Stacionin Qendror Tiranë instalohet radio HF për realizimin e komunikimit  ndërmjet tij dhe stacioneve Farkë, Vlorë dhe Gjirokastër. 

Me urdhër të komandantit të Forcave Ajrore Nr.1993 datës 21 Tetor 2003 në Stacionin Qendror të Tiranës filloi sistemi me tre turne.

Në kuadrin e modernizimit të rrjetit të Shërbimit Meteorologjik, në shtator 2004 në Stacionin Qendror Tiranë është instaluar programi “Nubis”. Nëpërmjet këtij programi u realizua marrja e informacionit meteorologjik në mënyrë satelitore dhe po me anë të këtij programi më 23 shtator 2004 filloi dhënia e informacionit të motit në televizionin publik shqiptar nga ana e Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore.

Një arritje e madhe për Shërbimin Meteorologjik të Forcave Ajrore ishte dhe miratimi në Kuvend i ligjit Nr.9224 datë 29 prill 2004 si dhe rregullorja mbi organizimin dhe funksionimin e këtij shërbimi, miratuar me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Nr.418 datë 28 qershor 2004, nëpërmjet të cilave përcaktohen qartë qëllimi, vartësia, organizimi si dhe detyrat e shërbimit meteorologjik ushtarak.

Nga viti 2008 shumë televizione private apo edhe lokale transmetojnë të dhënat meteorologjike të marra nga Qendra Meteorologjike e Forcave Ajrore. Gjithashtu është duke u punuar për futjen e të dhënave meteorologjike në internet, ku të interesuarit do të marrin në kohë reale 24 në 24 parashikimin e motit.







Media Sociale



Moti